Gripi, spitalet dhe qendrat shëndetësore në gatishmëri

05/01/2017 00:00

Rënia e virozave në muajin e janarit ka shtuar numrin e pacientëve edhe në spitalin “Ihsan Çabej” të qytetit të Lushnjes. Më të prekurit janë fëmijët.

Sipas shefes së Pediatrisë, Hatixhe Spahiu, ditët e fundit ka patur një rritje të flukist të fëmijëve të sëmurë. Vetëm natën e së mërkurës, pranë këtij pavioni janë paraqitur rreth 100 fëmijë, ndërsa numri i të shtruarve varion nga 40 deri në 50.

“Raste të komplikuara janë ato pulmonare, pra me sëmundshmëri të rrugëve të frymëmarrjes, pa përjashtuar dhe format virale me diare e të vjella, me temperatura shumë të larta që kontrollohen me vështirësi”, deklaron Spahiu.

Epidemia e gripit ka krijuar situatë emergjente edhe në spitalin rajonal të Elbasanit. Drejtoresha Desantila Tahiraj kërkoi që qendrat shëndetësore në fshat e qytet të qëndrojnë të hapura gjatë orëve të pasdites, por edhe në fundjavë.

“Edhe të shtunën edhe të dielën. Edhe një pikë tjetër si ajo tek lagjia “5 Maji”, ku ka një numër të madh banorësh dhe fluksi është i madh, duhet të qëndrojë hapur”, deklaroi Tahiraj.

Ndërkohë, në spitalin  rajonal në Gjirokastër mjekët thonë se nuk mund të flitet për epidemi, megjithatë po merren masat që i gjithë personeli shëndetësor të vihet në dispozicion nëse do të ketë një situatë të tillë.

Rreth 30 vetë paraqiten çdo ditë në repartin e urgjencës të spitalit rajonal “Omer Nishani” me simptoma të komplikacioneve të gripit. Pacientët marrin një shërbim bazë prej disa orësh dhe më tej trajtohen në shtëpi. Në spitalin me 135 shtretër, pacientët e shtruar nuk e kalojnë masën 40%.

Epidemiologët nga ana tjetër bëjnë me dije se një numër i konsiderueshëm i popullësisë ka marrë vaksinën kundër gripit në Shqipëri dhe në Greqi. Kjo masë parandaluese mesa duket ka bërë që situata të jetë ende nën kontroll.

Top Channel