Gripi, katër viktima. Të sëmurët kronikë më të rrezikuarit

05/01/2017 00:00

Sivjet, periudha e gripit ka qenë e parakohshme, pasi zakonisht piku regjistrohet në muajt janar, shkurt dhe mars. Në spitalin “Shefqet Ndroqi”, disa pacientë të sëmurë kronikë e kanë humbur betejën, pasi janë prekur edhe nga gripi.

“Kemi pasur 4-5 vdekje gjatë kësaj periudhe, kryesisht të të sëmurëve kronikë që nuk kanë arritur të mbijetojnë. Gripi është bërë komplikacioni që i ka çuar në atë gjendje”, thotë mjeku pneumolog Arjan Mezini.

Komplikacionet e këtij gripi, siç theksojnë edhe mjekët pneumologë, mund të shkaktojnë pasoja fatale për jetën, ku më të rrezikuarit mbeten ata që vuajnë nga sëmundjet pneumoni kronike, diabeti dhe sëmundjet kardiovaskulare.

Epidemia gripale e ditëve të fundit ka bërë që për herë të parë në spitalin “Shefqet Ndroqi” të bëhen edhe vizita të zakonshme nga persona që nuk kanë vuajtur më parë.

“Duke filluar nga 31 dhjetori ka patur një fluks që s’është i zakonshëm për urgjencën e spitalit tonë. Bëhet fjalë për 70 deri në 100 persona në ditë, që janë trefishi i ngarkesës të një dite të zakonshme. Kemi kaluar në shërbim të përforuar me 3 mjekë”, thotë Mezini.

Mjeku pneumolog paralajmëron se kjo situatë e rëndë gripale do të vazhdojë. “Do ketë një rritje, 2 javët e ardhshme do të jenë shumë problematike dhe më pas, si çdo cikël, do të vijë duke rënë”, shton Mezini.

Top Channel