Turqi, dy viktima dhe 7 të plagosur në sulmin pranë Gjykatës së Izmirit

05/01/2017 00:00

Një sulm me autobombë në provincën bregdetare të Izmirit, me dalje në detin Egje, shumë pranë një gjykate ka lënë të paktën dy persona të vdekur, sipas asaj që njofton guvernatori i Izmirit këtë të enjte.

Erol Ayyildiz tha se njëri prej viktimave ishte oficer policie, ndërsa tjetri ishte një punonjës i Gjykatës së Izmirit, duke shtuar se rreth 7 persona janë plagosur gjithashtu nga ky sulm i fundit, përfshi edhe vrasjen e dy militantëve.

Oficeri i policisë, i identifikuar si Fethi Sekin, duket se ka parandaluar përmasat më të mëdha të këtij sulmi, duke e pikasur në kohë automjetin e mbushur me eksplozivë dhe duke ndërhyrë. Ai tha se në momentin që policia tentoi ta ndalonte automjetin dhe të ushtronte kontroll nisi një përplasje e armatosur me militantët.

Guvernatori theksoi gjithashtu se militantët u vranë gjatë përleshjeve, ndërkohë që dy kallashnikovë dhe 8 granata artizanale u sekuestruan. Sipas Ayyildiz, një tjetër automjet u hodh në erë pranë vendngjarjes. Ai shtoi gjithashtu se të dhënat fillestari sugjerojnë se përgjegjës për këtë sulm është Partia e jashtëligjshme e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).

Gjithsesi, agjencia e lajmeve “Dogan” njoftoi se një militant i tretë mund të jetë larguar nga vendngjarja, kurse policia është duke zhvilluar një operacion për kapjen e tij.

Sulmi ndodhi pranë një postblloku policor në hyrje të gjykatës, ku hynin e dilnin avokatë dhe prokurorë, rreth orës 4 të pasdites. Një sërë ambulancash shkuan menjëherë në vendngjarje, të cilat transportuan të plagosurit në spitalet më të afërta.

Mbikëqyrësi mediatik në Turqi, Këshilli Suprem i Radiotelevizionit (RTUK) lëshoi një urdhër të përkohshëm për të mos raportuar sulmin, i cili rezulton të jetë i dyti në 5 ditët e para të vitit 2017, teksa vendi u godit nga një seri sulmesh gjatë vitit të kaluar që shënuan të paktën 275 të vdekur dhe mijëra të plagosur.

FOTO GALERI
1/14

Top Channel