Rrëzimi i “Obamacare”, Shtëpia e Bardhë e cilëson katastrofik planin republikan

05/01/2017 00:00

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara miratoi legjislacionin që i jep Kongresit pushtetin të asgjësojë me një veprim dhjetëra rregulla federale në vazhdën e një fushate intensive të republikanëve për ndryshim.

Por, energjitë e këtyre të fundit më së shumti janë fokusuar tek rrëzimi i ligjit të njohur si “Obamacare”. Legjislacioni i Kujdesit Shëndetësor me Kosto të Përballueshme u miratua në vitin 2010, kur demokratët kontrollonin të dyja dhomat dhe Presidenti Barack Obama ishte në 4-vjeçarin e parë në detyrë.

Më 20 janar, qeverisja e vendit kalon në duart e republikanëve, të cilët do të kontrollojnë si Shtëpinë e Bardhë, ashtu edhe Kongresin. Administrata në largim paralajmëroi të mërkurën se shfuqizimi i këtij ligji do të kishte pasoja shkatërrimtare.

Josh Earnest, zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë, tha: “Përmbysja e këtij akti do të ishte katastrofike për njerëzit në mbarë vendin. Po shohim që shumë republikanë e mbështesin “Obamacare” dhe mirë bëjnë. Sepse ndikimi i anullimit të tij do të ishte i prekshëm dhe i drejtpërdrejtë. 22 milionë amerikanë do të humbasin sigurimet e tyre shëndetësore nëse legjislacioni i kujdesit të përballueshëm shëndetësor hidhet poshtë. Ka për të hapur një gropë të thellë në buxhetin federal dhe deficiti do të rritet”.
 
Presidenti i zgjedhur Donald Trump e ka cilësuar ligjin për kujdesin shëndetësor një program “të çalë” me kosto tepër të lartë dhe e ka bërë të qartë se ka në plan ta zëvendësojë, edhe pse nuk ka dhënë ndonjë hollësi se çfarë propozon konkretisht.

Top Channel