Therje masive shpendësh në Francë

05/01/2017 00:00

800 000 rosa dhe pata do të asgjësohen në Francë si pjesë e masave të marra nga ekzekutivi i vendit me shpresën se keshtu do të mund të frenohet përhapja e gripit të shpendëve.

Asgjësimi do të duhet të përmbyllet brenda 20 janarit. Strategjia e ndjekur prej autoriteteve është ajo e eliminimit të shpendëve që janë më të prekurit nga sëmundja. Deri tani, 89 raste të virusit tejet infektiv H5N8 janë raportuar nëpër fermat e vendit, me numrin më të madh të pularive në Europë.

Përpjekjet e mëhershme për frenimin e epidemisë që nisi nga fundi i vitit të kaluar, rezultuan të pasuksseshme. Tre rajone në jugperëndim rezultojnë si më të prekurat: Gers, Landes dhe Pirenejtë e epërm, zona këto të famshme për ”Foie gras”, ushqimi luksoz i pergatitur me mish pate ose rose të shëndoshura në mënyrë jonatyrale.

1,3 milionë shpendë janë të shënjestruara atje. Ky lloj gripi është përhapur me shpejtësi të madhe, sidomos në mesin e zogjve shtegtarë. Mbi 10 vende të tjera europiane kanë njoftuar për raste të H5N8-s që prej raportimit të vdekjes së parë në Hungari në fund të tetorit.

Autoritetet shëndetësore kujdesen të sqarojnë se ky lloj virusi nuk përhapet përmes ushqimit.

Top Channel