Moti dhe gripi, kryeministri mbledh Shtabin e Emergjencave

05/01/2017 00:00

Për tre ditët e ardhshme, e gjithë Shqipëria pritet të mbulohet nga akulli dhe ngrica, edhe Shqipëria e mesme dhe zonat bregdetare, me temperaturat që pritet të bien deri në -20 gradë Celsius.

Ndonëse aktiviteti arsimor ishte parashikuar të riniste të hënën e 9 janarit, përkeqësimi i motit në kushte ekstreme për vendin tonë dhe epidemia gripale që ka pushtuar Shqipërinë ditët e fundit kanë detyruar ministritë e Shëndetësisë dhe Arsimit që të mendojnë për ta shtyrë atë në një datë të papërcaktuar.

Kryeministri Rama mblodhi në zyrën operacionale, drejtuesit e institucioneve kryesore, për të bërë për qytetarët raportim të asaj çka pritet të ndodhë në ditët në vijim dhe masave të marra.

“Sfida është e madhe pasi do përballemi me një situatë të panjohur, si ulje drastike e temperaturës thuajse në të gjithë territorinn e vendit”, deklaroi Rama.

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri tha se shtabet e emergjencavë të ngritura në çdo qark janë në gadishmëri 24 orë, ndërsa i bëri thirrje qytetarëve që të kufizojnë në maksimum lëvizjet.

“Drejtoria e Rezervave të Shtetit së bashku me pushtetin vendor në çdo qark ka marrë masa që të ketë një infrastrukturë të minimumit jetik për të gjithë ata që do kenë nevojë për ndihmë nga shtetit për ushqim, veshje, etj”, tha Tahiri.

Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja i kërkoi qytetarëve që në këto ditë të ftohta të mos neglizhojnë asnjë shenjë për përkeqësim të shëndetit, por t’i drejtohet mjekut.

“Gjithë sistemi shëndetësor është në gatishmëri të plotë. Drejtuesit e spitaleve janë sugjeruar që të reduktojnë ndërhyrjet kirurgjike apo shërbimet që nuk janë urgjencë”, tha Beqja.

Top Channel