Rama: Ndalimi i Haradinajt, një absurditet!

05/01/2017 00:00

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar si një absurditet ndalimin e Ramush Haradinajt në Francë.

“Ndalimi i Haradinajt, një absurditet! E pabesueshme që urdhër-arrestet e Serbisë s’janë fshirë ende nga kompiuterat e BE-së”, shkroi Rama në Twitter.

Haradinaj është i ndaluar në një burg në Francë, ndërkohë që autoritetet franceze kanë njoftuar ato kosovare për arrestimin e tij. Ai është arrestuar në bazë të një urdhër arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia.

Lajmi për arrestimin e liderit të AAK-së, është konfirmuar për mediat kosovare nga familja Haradinaj e më pas edhe nga Ministria e Jashtme e Kosovës.

Mësohet se Haradinaj u arrestua në Aeroportin ndërkombëtar Basel-Mulhouse, në pjesën franceze të tij. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, AAK ka dënuar arrestimin e Kryetarit të saj duke e quajtur atë një veprim krejtësisht të padrejtë dhe të papranueshëm.

Ne 2015-ën, lideri i AAK-së Ramush Haradinaj ishte arrestuar edhe në Slloveni, arrestim ky i bazuar po në fletë arrestin e Interpolit, lëshuar nga policia e Serbisë në vitin 2006. Haradinaj, asokohe po udhëtonte tranzit drejt Kosovës, nga Gjermania dhe u ndalua në aeroportin e Lubjanës.

Top Channel