Jetesa pranë trafikut rrit rrezikun e demencës

05/01/2017 00:00

Njerëzit që jetojnë pranë rrugëve kryesore shfaqin përqindje më të larta demence. Sipas një studimi të publikuar në revistën shkencore “Lancet”, 10% e rasteve të demencës tek njerëzit që jetojnë brenda 50 metrave nga një rrugë kryesore, janë pasojë e trafikut.

Shkencëtarët që përpiluan studimin ndoqën 2 milionë njerëz në Kanada për 11 vjet dhe, sipas tyre, ndotja e ajrit bashkë me trafikun e zhurmshëm mund të ndikojnë në përkeqësimin e trurit. Demenca është një çrregulim kronik ose i përhershëm i proceseve mendore dhe shfaqet përmes dëmtimit të kujtesës, ndryshimeve të personalitetit dhe arsyetimit të kufizuar, shpesh herë me pasoja të dhunshme.

Pas publikimit të studimit kanadez, ekspertë nga e gjithë bota thonë se rezultatet janë të mundshme, megjithëse ka nevojë për më shumë studime në këtë drejtim. Thuajse 50 milionë njerëz në botë vuajnë nga demenca, por shkaqet e kësj sëmundjeje që i vjedh njerëzve kujtimet dhe fuqinë e trurit nuk janë kuptuar ende.

Studimi i publikuar në revistën “Lancet” përfshiu 2 milionë njerëz në provincën kanadeze Ontario nga viti 2001 deri në vitin 2012. Studiuesit thanë se gjatë kësaj kohe pati 243 611 raste të diagnostikuara demence të shkallëve të ndryshme dhe ishte e qartë se rreziku ishte më i madh tek ata që jetonin pranë rrugëve kryesore.

Shumë ekspertë thonë se rritja e popullsisë dhe urbanizimi kanë bërë që gjithnjë e më shumë njerëz të jetojnë pranë trafikut të rëndë dhe të përballen me të çdo ditë. Ata thonë se pa kryerjen e studimeve shkencore, çdo njeri e di nga eksperienca personale se lëvizja në trafik shton stresin, ndërsa rrjedhimisht jetesa pranë tij e bën problemin më të madh dhe kjo mjafton për të rritur interesimin dhe përpjekjet shkencore në këtë drejtim.

Top Channel