Obama: Demokratët ta mbrojnë reformën shëndetësore

05/01/2017 09:00

Presidenti amerikan Barack Obama nxiti demokratët që të luftojnë për reformën e tij shëndetësore, ndërsa ekipi i Trumpit është zotuar se shfuqizimi i këtij ligji do të jetë një prioritet.

Gjatë një takimi privat që zgjati dy orë, Obama u përpoq të bashkonte anëtarët e partisë së tij, pikërisht kur republikanët ndërmorën hapin e parë për të shpërbërë një nga pjesët më të rëndësishme të trashëgimisë së presidentit. Republikanët votuan në Senat për një rezolutë buxheti që e lë pa fonde ligjin që njihet si “Obamacare”. Ky i fundit mbuloi me sigurime shëndetësore 20 milionë amerikanë më shumë, por efektet e tij anësore ishin rritja e çmimit të sigurimit dhe largimi i kompanive kryesore të sigurimeve nga skema, duke i lënë amerikanëve shumë më pak zgjedhje.

Zyrtarë demokratë thanë se Obama i kishte kërkuar të luftonin për të mbrojtur ligjin e tij kryesor. Ata gjithashtu shtuan se ai i kishte kërkuar të qëndronin të fortë, ndërsa republikanët përgatiten që të marrin kontrollin e Shtëpisë së Bardhë dhe dy dhomave të Kongresit për herë të parë në një dekadë.

Është e qartë se Obama nuk është gati që të heqë dorë nga ligji i tij, por duke e ditur se pas 20 janarit demokratët do të jenë thjesht figurantë në Senat dhe Dhomën e Ulët të Përfaqësuesve, ata kanë vendosur të flasin me forcë sa kanë mundësi. Mbi të gjitha, duke i mëshuar faktit se republikanët po nxitojnë të eleminojë “Obamacare”, por nuk kanë dhënë asnjë plan se me çfarë do ta zëvendësojnë.

Top Channel