Organet greke të shëndetit janë vënë në gatishmëri të lartë pasi presin një valë të madhe të gripit të kësaj stine, që duket se është më i fuqishëm se ai i vititi të kaluar.

Shembulli më i qartë se gripi i sivjetshëm ka marrë formën e epidemisë është qyteti i Larisës, ku vetëm dje, brenda 24 orëve vizituan spitalin universitar mbi 400 persona, 62 prej të cilëve u shtruan urgjentisht për t’u kuruar.

Sipas drejtorit të këtij spitali, pritet që edhe në orët e ditët e ardhshme të ketë sërish shumë persona që do të shfaqin shenjat e gripit, pasi tashmë bëhet fjalë për epidemi dhe ka shume raste kur pacientët kanë shfaqur edhe gastrenterit.

Sipas specialistëve, më të prekur edhe këtë herë do të jenë persona të grupmoshës mbi 65 vjeç. Deri tani është regjistruar vdekja e një personi 70 vjeç, ndërsa dhjetë të moshuar të tjerë trajtohen në repartet e reanimacionit.

Ekspertë nga Qendra Kombëtare e Parandalimit të Sëmundjeve Infektive vlerësojne se këtë vit do të mbizotërojë virusi i gripit A, Η3Ν2, që shkakton më shumë komplikacione tek të moshuarit në kontrast me virusin e tipit Α Η1Ν1, që prekte edhe fëmijë e të rinj.

Organet greke kërkojnë prej të gjithë qytetarëve të vaksinohen, ndërsa sugjerojnë se ata që jane me grip të mos shkojnë në punë nëse është e mundur dhe të zbatojnë rregullat e higjenës sanitare, duke bërë kujdes edhe me motin, që në ditët e ardhshme pritet të jetë me temperatura polare dhe rreshje shiu e bore në gjithë vendin.

Top Channel