Blushi: Parlament me 100 deputetë

04/01/2017 00:00

Kryetari i partisë Libra, Ben Blushi, përmes një postimi në rrjetet sociale është shprehur skeptik mbi mundësinë që parlamenti i ardhshëm të jetë më i pranueshëm se ky që kemi aktualisht.

“Të paditurit, të paaftët, agallarët e provincave të zbrazura, banditët me frak, analfabetët që mbajnë piano në kuzhinë, kanabistët me kollare me fruta pylli, piratët e energjisë, ilaçeve dhe mbetjeve, tenderaxhinjtë e përmbytjeve dhe gjobaxhinjtë e bashkive do mësyjnë prapë në parlament, duke u futur nga dyert dhe dritaret e partive te vjetra”, ka deklaruar Blushi.

Sipas Blushit, një mënyrë për ta përmirësuar situatën është kufizimi i mandateve të deputetëve në 100 njësi.

“Dikur në fshatrat malorë ngrinin prita për të penguar ujqërit. Ndoshta mund të përdoret si teknikë duke zvogëluar derën e parlamentit. Një parlament më i vogël do ishte një hapësirë më e kufizuar për kaq shumë vulg. Unë jam për një parlament me 100 deputetë”, ka shtuar Blushi në postimin e tij.

Top Channel