Supersfida ndaj Italisë nis nga femrat

04/01/2017 00:00

Italia është kundërshtari i radhës i kombëtares shqiptare të futbollit, një sfidë që do të zhvillohet më 24 mars.

Por teksa duhet afro 3 muaj nga kjo supersfidë, dy federatat kanë rënë dakord për të zhvilluar një takim miqësor mes Kombëtares A të femrave të Shqipërisë me përfaqësuesen e 19-vjeçareve të Italisë. Takim, i cili do të luhet më 11 janar, në orën 14:00 në “Elbasan Arena”.

Vajzat kuqezi të drejtuara nga trajneri Armir Grima dhe ndihmësi i tij, Viorensin Sinanin do të shërbejnë si një test për skuadrën italiane, që nga 5 deri më 10 prilli do të marrë pjesë në fazën Elitë të Kampionatit Europian.

Federata Italiane e Futbollit njoftoi se skuadra “e kaltër” e femrave do të nisë grumbullimin në Romë më 8 janar, për të udhëtuar drejt Shqipërisë në datën 10.

Ndërkohë, kjo ndeshje është konfirmuar edhe nga ana e Federatës sonë të futbollit me anë të një deklarate në faqen e saj në internet.

Top Channel