Rinis rrëshqitja e tokës në Kombinat, po shkatërrohen banesat

04/01/2017 00:00

Në zonën e Kombinatit, në Tiranë, rreth 10 banesa kërcënohen seriozisht nga rrëshqitja e tokës. Një prej tyre është edhe ajo e shtetases Bete Fjolla, e cila banon në rrugën “Haki Stërmilli”.

“Shtëpia ime është më e rrezikuara. Për një orë ose dy, shembet çdo gjë. Mbrëmë kam ndënjur jashtë, sot është e njëjta situatë. Presim ndihmë, por asgjë”, thotë Fjolla.

Në shtëpinë e Betes jetojnë 2 kurora bashkë, një familje e madhe prej 8 pjesëtarësh. E frikësuar nga ideja që mund t’i shembet shtëpia, ajo lutet për zgjidhje, pasi kjo shtëpi është investimi i një jete, me lekë mundi dhe gjaku.

Një tjetër fatkeq është edhe Leonard Bermeta, 35-vjeçari që jeton me 1 rrogë, veti i pestë, që nuk do të lejojë të humbasë të vetmen pasuri, shtëpinë.

“Ka rrëshqitur dheu komplet dhe po na rrezikohen shtëpitë. Kërkojmë ndihmë nga shteti, sepse me këtë shi do të na shkatërrohen komplet banesat”, thotë Bermeta.

Rrëshqitja e dheut në këtë zonë ka nisur 2 muaj më parë, kur vetëm pak ditë pas transmetimit të lajmit në Top Channel, si qeveria edhe bashkia nisën punën për pastrimin e dheut.

Institucionet përgjegjëse premtuan zgjidhje, por 2 muaj më vonë banorët thonë se nuk ka shkuar askush për t’i ndihmuar.

Top Channel