Valencia ‘në pikiatë’, tifozët në protestë

04/01/2017 00:00

Në fillim rezultatet katastrofike që e kanë çuar në zonën e rënies nga La Liga dhe më pas dorëheqja pa kushte e një trajneri me eksperiencë si Cesare Prandeli.

Skuadra e futbollit të Valencias detyrohet tashmë të përballet me mërinë e tifozëve të saj, për paraqitjet e këqija këtë sezon, ndërsa në manifestimin masiv në qytet, kritikat kryesore ishin ndaj presidentit Peter Lim.

Me qindra protestues u grumbulluan në afërsi të stadiumit Mestaja për mënyrën sesi po drejtohet skuadra e Primera Division. Në fokus ishte menaxhimi i keq dhe strategjia e munguar që ka çuar ekipin në rënie drastike, në një kohë kur ishte premtuar ringjitja në majat e futbollit europian.

Demonstrimi i pakënaqësive të tifozëve të Valencias, vjen në të njëjtën ditë kur trajneri Cezare Prandeli zbuloi arsyet e largimit nga klubi spanjoll, mes të tjerave zhgënjimet për mosmbajtjen e premtimeve në merkato dhe forcimin e ekipit.

Biznesmeni Peter Lim është një investitor nga Singapori me një kapital që e rendit të 11-in në botë për pasurinë. Por pavarësisht muskujve të fuqishëm financiarë, ai ka dështuar të ketë një impakt në rezultatet e Valencias.

Top Channel