Skënderbeu, prezantohet Ilir Daja: Objektivi ynë, titulli!

04/01/2017 00:00

Nuk kaloi shumë kohë dhe Ilir Daja e sheh veten në pankinën e një tjetër pretendenti për titullin kampion në Kategorinë Superiore. Ai u prezantua si trajner i kampionëve në fuqi të Skënderbeut.

Presidenti i “Ujqërve të Dëborës” vendosi largimin e italianit Agostinelli, si një sinjal që duhet të rikthehet loja bindëse e sezoneve të kaluara, edhe pse Ardian Takaj mohon që oshilacionet e deritanishme kanë ardhur vetëm për faj të trajnerit nga vendi i Apenineve.

“Në periudhën e dobët të dy fazave të para nuk ishte problem vetëm trajneri, por faji është edhe i skuadrës. Megjithatë ne i dhamë edhe një mundësi trajnerit italian, i cili nuk arriti ta çonte ekipin në nivelet e larta, ndaj dhe e pamë të arsyeshme ndryshimin”, tha Ardian Takaj, presidenti i Skënderbeut.

Ndërkohë, në prezantimin e tij në krye të pankinës së korçarëve, Ilir Daja theksoi se objektivi i vetëm për Skënderbeun është titulli kampion, të njëjtin synim që kishte edhe me Tiranën pak javë më parë, e ku nuk e lanë të përfundonte misionin e tij.

“Ndihem i vlerësuar sepse marr ekipin kampion në fuqi. Është e vështirë, sepse dihet tashmë që objektivi kryesor i Skënderbeut është të dalë kampion. Po dole kampion konsiderohet që ke bërë detyrën, ndërsa po dështove quhet dështim. Vështirësia shtohet edhe për faktin që merkatoja e janarit është e kufizuar për të ndërhyrë aty ku ka nevojë ekipi. Por do të shtoja se Skënderbeu e ka kontigjentin, ka lojtarë që janë shpallur kampionë disa herë me këtë ekip”, tha Ilir Daja, trajner i Skënderbeut.

Ndërkohë, i kontaktuar nga Top Channel, Andrea Agostinelli shpreh keqardhjen për këtë largim dhe tregon arsyet e mungesës së rezultateve.

“Sigurisht që nuk ishim me fat, duke pasur parasysh edhe ndeshjet e fundit. Por nuk është e drejtë të them se ishte vetëm kjo. Kjo skuadër nuk ishte, përgjithësisht, si një vit më parë. Mund të them me bindje të plotë se, Skënderbeu që unë kisha pati një rënie të dukshme sa i përket cilësisë së lojtarëve. Megjithatë mund të bënim diçka më shumë. Jam përpjekur të bëj gjithmonë maksimumin dhe për këtë e kam ndërgjegjen e pastër. Sigurisht që doja shumë të vazhdoja të qëndroja, por e kuptoj se edhe dy rezultatet e fundit negative sollën ndërprerjen e bashkëpunimit tonë”, tha italiani Andrea Agostinelli.

Top Channel