Epidemia e gripit, qindra persona në rrethe kërkojnë ndihmë çdo ditë

04/01/2017 00:00

Në të gjitha urgjencat e spitaleve të vendit është rritur këto ditë fluksi i pacientëve me simptomat e gripit AH3N2. 100 raste të prekjes nga gjendja gripale raportohen nga spitali i Korçës çdo ditë.

“Do të këshilloja gjithë prindërit e fëmijëve të vegjël që nëse ata shfaqin temperaturë të paraqiten tek mjeku i familjes, qoftë në qytet, qoftë në fshat”, thotë mjeku Luan Belortaja.

E njëjta situatë është paraqitur edhe në qëndrat e tjera spitalore të qarkut jug-lindor, ndërsa masat janë shtuar edhe në shërbimin e urgjencës së spitalit, duke vendosur 3 mjekë roje në çdo turn.

Në Fier, 150 deri në 160 është numri i fëmijëve që parqiten çdo ditë në spitalin pediatrik. Në Lezhë, mesatarisht regjistrohen 120 raste në ditë në urgjencën e të rriturve dhe 50 raste fëmijësh në atë të pediatrisë.

“Javën e fundit kemi në rritje të sëmundshmërisë së fëmijëve të moshave nga 1 në 14 vjeç. Ky lloj infeksioni viral ka prekur fëmijët e kësaj moshe dhe më pak fëmijët nga zero në 1 vjeç”, thotë Mark Marku, shef i repartit të pediatrisë.

Në Durres ndërkohë, në urgjencën e pediatrisë çdo ditë regjistrohen 160 deri në 180 vizita, si dhe 4-5 shtrime në ditë.

Top Channel