Menyja në ceremoninë e “Globit të Artë”

04/01/2017 00:00

Levreku, filetoja e viçit dhe një treshe ëmbëlsirash përbëjnë bazën e menysë së banketit të yjeve të Hollivudit, në ceremoninë e 74-t të Çmimit “Globi i Artë”.

Një sallatë rrepash të verdhë, e shoqëruar me rrepa të bardha dhe djath të thërrmuar dhije, do të paraprijë pjatat kryesore, që veç peshkut e mishit, shërbejnë edhe kërpudha me broccolini. Shija e VIP-ave për të ëmblën do të kënaqet në fund me kek napolitan bajamesh, profiterol me krem vanilje dhe tortë delikate me çokollatë.

“Ky është viti i parë që një italian gatuan për ‘Golden Globes’. Ishte e pamundur të mos festoja. Ajo që dimë të bëjmë më mirë ne në Itali është mikpritja. Ideja është që do të gatuaj për yjet, atë që do t’iu bëja edhe po t’i kisha të ftuar në shtëpi”, tha Alberico Nunziata, shef ekzekutiv i “Beverly Hilton”.

Darka do të jetë festë për stomakun, por edhe për sytë. Çdo tavolinë do të zbukurohet me një buqetë masive trëndafilësh. Mbi 15 mijë të tillë do të dërgohen nga Amerika e Jugut, posaçërisht për këtë ngjarje.

Dizenjuesi Michael Uncapher thotë se lulet janë ndonjëherë kaq të bukura, sa të famshmit nuk i mbajnë dot duart larg prej tyre.

“Eeh, gjithmonë në fund të mbrëmjes rezulton që mungojnë lule, e kjo do të thotë se dikush i ka marrë. Sidoqoftë është një mënyrë e këndshme për të bërë një kompliment mbi përzgjedhjet tona”, tha Michael Uncapher, dizenjues.

Çmimet “Globi i Artë” do të mbahen më 8 janar në Beverly Hills të Kalifornisë. Ceremonia do të drejtohet nga moderatori dhe aktori Jimmy Fallon.

Top Channel