Ndryshimet në politikën penale, Manjani: Drejtësi efektive dhe e barabartë

04/01/2017 13:20

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, bëri me dije me anë të një postimi në Facebook se po përgatitet “një paketë ndryshimesh në Kodin Penal dhe në atë të Procedurës Penale”, në mënyrë që të nxirret “një produkt i mirë që garanton drejtësi efektive, por edhe të barabartë për cilindo”.

“Duhet ta pranojmë se aktualisht kemi rregulla që na kanë mbetur që nga koha e shkuar (nga ajo e shkuara fare)! Sistemi i sotëm i drejtësisë penale prodhon më shumë arrestime, sesa hetime. Nxitimi për të njoftuar në televizor arrestime vazhdon të jetë i dëmshëm, sepse nuk nxit (në mos pengon) faktimin me prova të ngjarjeve kriminale. Arrestimi mbi dyshim (pa prova) është efektivisht dënim edhe nëse në gjykim provohet pafajsia! Kjo është sindroma e “drejtësisë popullore” që vjen nga e shkuara. Për këtë dhe për të tjera, kemi përgatitur një paketë ndryshimesh në Kodin Penal dhe në atë të Procedurës Penale, të cilat i kemi shpallur publikisht për një konsultë me cilindo që do të kontribuojë. Projektet gjenden në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë. E hartuam këtë paketë në bashkëpunim me Prokurorë, Punonjës të Policisë, Avokatë e penalistë. Kemi marrë konsideratë sugjerime nga Avokati i Popullit, nga Shoqata joqeveritare, por edhe konstatimet e raport-progreseve të përvitshme”, shkruan në Facebook ministri Manjani.

“Shpresojme që këtë radhë të nxjerrim një produkt të mirë që garanton drejtësi efektive, por edhe të barabartë për cilindo. Drejtësisë penale që të garantojë ndëshkimin e fajtorëve me prova dhe jo vetëm me televizor! Rendi Publik garantohet vetëm me politikë penale efektive, të drejtë dhe profesionale”, shton Manjani.

Top Channel