Itali, policia: Amri përdori të njëjtën armë në Berlin dhe Milano

04/01/2017 00:00

Arma me të cilën u qëllua një oficer policie në Milano, nga i dyshuari i sulmit në tregun e Krishtlindjes në Berlin gjatë muajit të kaluar, është e njëjta e përdorur nga agresori i vdekur tashmë në vrasjen e shoferit të kamionit, që u përplas me njerëzit që festonin në kryeqytetin gjerman.

Lajmi konfirmohet nga policia italiane gjatë kësaj të mërkure. Anis Amri, tuniziani që kishte dështuar të siguronte azil në Gjermani, u qëllua për vdekje gjatë një shkëmbimzjarri me policinë italiane në periferinë “Sesto San Giovanni” të Milanos më 23 dhjetor, vetëm pak ditë pasi shkaktoi 12 viktima në Berlin.

Amri është gjithashtu i dyshuari për vrasjen e shoferit të kamionit në Gjermani, mjetin e të cilit e rrëmbeu për të çuar deri në fund aktin terrorist në tregun e mbipopulluar të Krishtlindjes. Policia italiane ka kryer prej 23 dhjetorit hetime të ndryshme për të përcaktuar nëse e njëjta armë ishte përdorur në të dyja ngjarjet, në Berlin dhe Milano.

“Krahasimi i bërë mes fishekut të dalë nga arma e terroristit në ‘Sesto’ dhe një fisheku të gjetur nga policia gjermane, ka sjellë prova të paevitueshme se janë qëlluar nga e njëjta armë”, tha policia italiane në një deklaratë.

Top Channel