Bashkia e Libohovës nuk ka fonde të mjaftueshme për të mbështetur një shërbim efikas pastrimi.

Për më tepër, peisazhi i parë që përballin vizitorët në hyrje të qytetit është një përrua i mbushur me tonelata të tëra mbetjesh urbane. Një pjesë e mbetjeve që mbushin të dy anët e rrugës kryesore eleminohen herë pas herë me djegie, ndërsa sasia dërrmuese shtyhet drejt përroit, që më pas ja përcjell ndotjen basenit më të madh ujor, lumit Drino.

Luiza Mandi, kryetare e Bashkisë Libohovë, shpjegon: “Ne kemi filluar grumbullimin e mbeturinave aty ku është miratuar me vendim të Këshillit Bashkiak. Por, në kohë të keqe, mbeturinat rikthehen. Nëse ai vend nuk pyllëzohet, është e pamundur që të largojmë mbeturinat”.

Bashkia e Libohovës, me 7800 banorë, ka gjithsej në të gjithë territorin e saj të gjerë 60 kosha për mbetjet, 30 prej të cilave në qytet. Sipas kryetares, është menduar që të krijohen lehtësira që mbetjet të përpunohen në vend: “Edhe fshatrat janë problem, prandaj ne kemi parashikuar që mbeturinat e tyre të grumbullohen aty ku shkojnë edhe mbeturinat e qytetit”.

Në Bashkine Libohovë gjenerohen çdo ditë rreth 2700 kg mbetje, gjysma e sasisë vetëm prej qytetit. Sasia vjetore e mbetjeve që derdhen në mjedis shkon në rreth 1000 ton, duke e radhitur këtë bashki mes ndotësve kryesorë në këtë rajon.

Top Channel