Indonezia ndërpret raportet ushtarake me Australinë, shkak një “ofendim”

04/01/2017 00:00

Indonezia ndërpreu çdo formë bashkëpunimi ushtarak me Australinë, duke thënë se ka shumë gjëra që duhen përmirësuar.

Zyrtarë të ushtrisë indoneziane thanë se, masa u mor që në dhjetor dhe shumë aktivitete u prekën prej saj, mes të cilave edhe stërvitjet e përbashkëta.

Zyrtarisht, Indonezia tha se ndërprjerja erdhi për arsye teknike, pa specifikuar më tej. Por, sipas medieve vendase, raportet u ftohën pasi trupat indoneziane gjetën materiale ofenduese në një bazë australiane.

Sipas gazetës indoneziane “Kompas”, anëtarë të ushtrisë gjetën materiale të papranueshme në bazë, që ofendonin “Pankasilën”. Ky i fundit është parimi themelues i Indonezisë dhe konsiderohet si baza filozofike e vendit. Ai përbëhët nga disa parime që janë pjesë e Kushtetutës dhe kush i shkel brenda Indonezisë gjendet në telashe shumë serioze.

Në këtë rast, duket se Indonezia nuk mund të burgosë askënd dhe ka zgjedhur ndërprerjen e raporteve ushtarake me Australinë, masa e vetme që i mbetej. Australia nuk ka reaguar ndaj lajmit, ndërsa mediet indoneziane shkruajnë se pritet që bashkëpunimi të rifillojë shpejt, sapo ushtria australiane të marrë masa për atë që ka ndodhur.

Top Channel