Zyra e Etikës, Trump tregon forcën. Kongresi i bindet shefit të ri

04/01/2017 00:00

Republikanët hoqën dorë nga plani për të shpërbërë një organizëm të pavarur që heton sjelljet e gabuara politike, pas kritikave të shumta.

Vota e papritur e ligjvënësve për t’i hequr pavarësinë Zyrës së Etikës kongresionale solli kundërshtimin e publikut dhe kritikat e ashpra të Donald Trump. Në një postim në “Twitter”, presidenti i zgjedhur nxiti ligjvënësit të përqëndrohen te reforma e taksave, shëndetësia dhe shumë çështje të tjera më të rëndësishme.

Duket se sulmi i Trumpit pati efekt, pasi pak orë më vonë, përmes një takimi emergjent, ligjvënësit amerikanë anuluan lëvizjen e tyre sektrete kundër Zyrës së Etikës. Kjo e fundit u krijua në vitin 2008, pas një serie skandalesh që solli burgosjen e disa kongresmenëve.

Sipas ekspertëve, ky organizëm i pavarur ka qenë prej atëherë një problem për ligjvënës të të dyja anëve të spektrit politik, të cilët kanë interes në kufizimi e fuqive të tij. Por shefi i ri ende i pakurorëzuar i Shtëpisë së Bardhë tregoi forcën dhe vuri në rresht udhëheqësit e Kongresit, duke i bërë që t’i bindeshin vullnetit të tij politik.

Ekspertët thonë se ruajtja e këtij organizmi të pavarur ka mjaft rëndësi, por mbi të gjitha rëndësi ka fakti që Trump u tregoi të gjithëve se kush komandon, madje përmes një mesazhi në “Twitter”, duke bërë shumë komentues të thonë se edhe “cicërimat” e Trumpit kanë “dhëmbë”.

Top Channel