Dëborë dhe akull, probleme në Kukës, Shkodër, Dibër

04/01/2017 00:00

Pas reshjeve të para në veri, dëbora ka zbritur gjatë natës dhe në rajone të tjera të vendit. Dëbora ka vështirësuar qarkullimin në disa akse rrugore, teksa më e rëndë situata paraqitet në veri. Në shumicën e tyre kalimi bëhet me zinxhirë.

Reshjet intensive të borës që kanë përfshirë Dibrën kanë arritur në 15 cm në qytetin e Peshkopisë, ndërsa në zonat e thella arrin 30-40 cm. Sa u përket rrugëve nacionale, megjithëse nuk janë lidhur kontratat për mirëmbajtjen dimërore, akset po mirëmbahen nga kompanitë që i kanë pasur vitin e kaluar.

Situata në akset kombëtare

Kuben – Vasie, 25 cm borë, kalohet pjesërisht me zinxhirë
Peshkopi – Qafë Drajë, 25 cm borë, pjesërisht me zinxhirë
Ura e Cerenecit – Steblevë, 15-25 cm borë, pjesërisht me zinxhirë
Qafë Bualli – Krastë, 20 cm borë, pjesërisht me zinxhirë
Laç – Vau i Dejës – Fushë Arrëz, 20 cm borë, qarkullimi me zinxhirë
K/Hadroj – Qafë Benë, 20 cm borë, me zinxhirë
Fushë Arrëz – Fushë Dukagjin, 30-50 cm borë, me zinxhirë
Akset e Dajtit, pjesërisht me zinxhirë

Nisja e reshjeve në Bulqizë është shoqëruar me erë të fortë dhe me ulje të temperaturave deri në -10 gradë Celsius. Përveç dëborës, ulja e temperaturave ka krijuar ngrica në disa segmente të rrugës nacionale.

Edhe në Kukës trashësia e dëborës ka arritur në 20-25 centimetra. Në Rrugën e Kombit, qarkullimi është normal në të gjitha korsitë. Është bërë pastrimi i borës dhe kriposja e rrugës, pasi një ditë më parë qarkullimi u bllokua për 30 minuta, për shkak se makinat pa pajisje dimërore nuk kalonin dot zonën malore pranë Kalimashit.

Sektori i Policisë Rrugore në Kukës u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të bëjnë kujdes gjatë lëvizjes në aksin Tuneli i Kalimashit – Morinë.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel