Kukësi nis i pari stërvitjen

03/01/2017 00:00

Kukësi, kryesuesi i Kategorisë Superiore dhe kampion i dimrit për të dytën herë në histori, është dhe skuadra e parë që ka rifilluar seancat stërvitore në prag të fazës përgatitore që do të bëjë nga data 5 në Antalia të Turqisë.

Edhe pse pa asnjë humbje dhe me 5 pikë më shumë se një vit më parë pas dy fazash, trajneri Ernest Gjoka po mendon se si mund ta mbyll të gjithë kampionatin në krye dhe për këtë ka filluar të mendojë për përforcimet.

“Çdo skuadër ka nevojë për ndryshime. Ne kërkojmë cilësi, pasi lojtarët nuk na mungojnë. Ne kemi pasur një problem në mbrojtje dhe jemi munduar ta zgjedhim me një lojtar premtues, siç është Rrumbullaku. E shumta kemi nevojë për dy lojtarë, një mesfushor dhe një mesfushor-sulmues”, shprehet Gjoka.

Dikur një ekip i njohur për mundjen, sot Kukësi, edhe për nga korrektesa financiare, është ndër më të lakmuarat si skuadër. “Është një ekip që kërkon të jetë gjatë gjithë kohës në majën e futbollit shqiptar dhe në derën e Kukësit tashmë trokitet fort”, thotë trajneri.

Gjithsesi, për mbylljen e dy fazave të para pa asnjë humbje janë të shumtë ata që mendojnë se për këtë, veç cilësisë së grupit apo aftësisë së trajnerit, një kontribut kanë dhënë edhe gjyqtarët.

“Unë mendoj që ne jemi edhe penalizuar, edhe jemi parë me dashuri nga gjyqtarët. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që një skuadër të dalë kampion nga arbitrat”, përgjigjet Gjoka.

Skuadra e Kukësit do të fillojë një fazë përgatitore prej rreth 12 ditësh në Antalia të Turqisë, duke evituar temperaturat e ulta në vend, për të rikuperuar energjitë për dy fazat e mbetura të kampionatit, që fillon më 21 janar.

Top Channel