Me pinca në bark për 2 dekada

03/01/2017 00:00

18 vjet më parë, vietnamezi Ma Van Nhat iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale pas një aksidenti rrugor. Një dhembje barku e vazhdueshme pas operacionit e detyroi të kërkonte sërish këshillën e mjekëve.

“Pas operacionit të vitit 1998, shkova në shtëpi, por kisha një dhembje barku të vazhdueshme. U detyrova të kthehem në klinikë, ku më diagnostikuan me ulçer për të cilën më thanë të merrja qetësues”, tregon Van Nhat.

Gati 2 dekada më vonë, Nhat, sot 54-vjeçar, u kthye sërish në tryezën e operacionit. Ekipi i kirurgëve të spitalit Thai Nguyen, në verilindje të Vietnamit, i nxorën nga barku një palë pinca kirurgjikale, tashmë të ndryshkura.

Një test me ultratinguj muajin e kaluar tregonte një objekt të huaj në njërën anë të abdomenit të tij dhe një tjetër verifikim në spitalin Bac Kan pranë shtëpisë së tij, i njëjti ku u krye ndërhyrja e parë, konfirmoi se bëhej fjalë për një forceps 15-centimetërsh të ngecur brenda trupit të 54-vjeçarit.

Drejtuesit e Bac Kanit e pranuan gabimin e bërë, por thonë se do të jetë e vështirë të identifikohen anëtarët e ekipit përgjegjës për gafën e rëndë, pasi kartelat mjekësore aty nuk ruhen për më shumë se 15 vjet. Episode të tilla nuk janë të pazakonta në Vietnam. Vitin e kaluar, pati raportime për të paktën 3 raste meshkujsh të diagnostikuar si shtatzënë nga analizat e gjakut si dhe dy raste të tjera kur mjekët kanë operuar gjymtyrën e shëndoshë.

Top Channel