Bilanci i Majlinda Kelmendit: Viti 2016, më i miri për mua

03/01/2017 00:00

Viti 2016 do të mbahet mend nga tifozët shqiptarë, në veçanti nga ata që kanë ndjekur që në hapat e para të xhudos Majlinda Kelmendin. Sportistja nga Peja fitoi medaljen e artë në Olimpiadën e Rio De Zhaneiros dhe triumfoi në shumë turne të mëdha ndërkombëtare. 

Majlinda është sportistja e parë që i sjell medalje të artë Kosovës në pjesëmarrjen e parë në një Olimpiadë, sukses ky që shumë shtete e ëndërrojnë me dekada.

Kelmendi e cilësoi 2016-n si vitin më të mirë në karrierë, ndërsa nuk ngurroi të vendoste edhe objektivat e vitit 2017.

“Viti 2016 ka qenë viti më i mirë në jetën time dhe viti më i suksesshëm, duke marrë parasysh se në vitin 2015 kam qenë e lënduar dhe ka qenë shumë vështirë të kthehen në formën në të cilën kam qenë. Ka pasur shumë batica dhe zbatica, por shyqyr prej Zotit jam kthyer në formën më të mirë, pavarësisht dëmtimit, ia kam dalë të bëhem Kampione e Evropës dhe Kampione Olimpike. Viti 2016 në gjithë jetën time ka qenë viti më i mirë, pavarësisht se çfarë mund të ndodhë në vitin 2017”, tha Kelmendi.

Xhudistja pejane ka folur edhe për vitin 2017. Majlinda premton suksese edhe në Kampionatin Evropian dhe atë Botëror, që janë objektivat e Majlindës për 12 muajt në vazhdim.
“Në vitin 2017 shpresoj shumë se nuk do të kem probleme me dëmtimet dhe objektivi kryesor do të jetë Kampionati i Evropës në muajin prill dhe Kampionati i Botës që është në Budapest, në muajin gusht. Shpresoj shumë së do ta rikthej titullin e Botës të cilin nuk kam mundur ta mbroj në vitin 2015 për shkak të dëmtimit”, deklaroi Kelmendi.

Top Channel