Masakra në Stamboll, agresori filmoi veten në sheshin “Taksim”

03/01/2017 00:00

Mediat turke publikuan një video të realizuar prej autorit të sulmit që përgjaku mbrëmjen e Vitit të Ri në një klub nate të Stambollit, duke i zbehur të gjithë Turqisë kënaqësinë e festave.

Pamjet filmike tregojnë agresorin duke filmuar veten në sheshin e famshëm “Taksim” të qytetit më të madh të vendit. Nuk është ende e qartë nëse xhirimi është bërë përpara apo pas masakrës në klubin “Reina”, të marrë përsipër nga Shteti Islamik. Gazeta turke “Haber” pretendon se i dyshuari mund të jetë pjesëtar i minoritetit mysliman ujgur të Kinës.

Gjithmonë sipas saj, ai ka mbërritur në qytetin turk të Konias bashkë me të shoqen dhe dy fëmijët. Bashkëshortja aktualisht është ndaluar prej forcave të rendit. Media të tjera thonë se ai mund të jetë nga Uzbekistani ose Kirgiztani. Vetë policia i ka shpërndarë fotot e agresorit, por nuk pretendon ta ketë identifikuar, ndonëse këmbëngul se me përshkrimin e marrë dhe shenjat e gishtërinjve, kjo gjë do të ndodhë shumë shpejt.

12 vetë janë arrestuar deri tani pas bastisjeve policore në mbarë Stambollin. Autoritetet vendase pretendojnë se janë duke e ngushtuar ndjeshëm darën rreth të dyshuarit. Njerëzit e zonës ndërkohë, i ka mbërthyer frika. Emre Ayav, një menaxher restoranti, shprehet: “Njerëzit kanë frikë të dalin në rrugë. Biznesi ynë ka pësuar rënie të tmerrshme. Përpara kishim 150 deri në 200 klientë në ditë, tani numri i tyre ka rënë në 50”.
 
Sulmi filloi në orët e hershme të së dielës, kur një person i armatosur vrau një oficer policie dhe një civil jashtë klubit “Reina”, para se të hynte brenda. Mbi 600 veta ishin në klub në atë kohë dhe disa prej tyre u hodhën në ujërat e Bosforit për t’u shpëtuar plumbave. Klubi “Reina”, në lagjen Ortakoj, një zonë në Ngushticën e Bosforit, është i njohur për praninë e personave të famshëm dhe të huajve.

Autoritetet që janë vënë në kërkim të sulmuesit thanë se ai mund të jetë përzier me njerëzit që iknin nga klubi. Përveç 39 të vrarëve, rreth 70 veta mbetën të plagosur.

Top Channel