Shërbimet sociale, Klosi: Bashkëpunim me pushtetin vendor

02/01/2017 00:00

Me miratimin e reformës territoriale, domosdoshmëri mbetet rishikimi i shërbimeve sociale në rang vendi. Decentralizimi dhe fuqizimi i pushtetit vendor do të kërkojë kalimin e një sërë kompetencash nga qeveria në bashki dhe komuna.

Në një intervistë për Top Channel, ministri i Mirëqënies Sociale, Blendi Klosi bën një bilanc të shkurtër mbi reformat e realizuara në vitin 2016 dhe objektivat në vitin e ardhshëm.

 “Do të kemi një fond social për shërbimet sociale. Bashkëpunim konkret me bashkitë dhe komunat për të shtuar shërbimet e munguara pasi edhe në bashkitë e mëdha ka mungesa”, thotë Blendi Klosi Ministër i Mirëqenies Sociale.

Por, për të bërë transferimin e shërbimeve nga njëri pushtet në tjetrin duhet rishikuar harta e shërbimeve. Për herë të parë do të kemi një renditje të qyteteve dhe fshatrave ku ekzistojnë dhe ku mungojnë shërbime, si: Qendrat për gratë e dhunuara, shtëpitë e të moshuarve, shtëpitë e fëmijëve dhe shërbime të tjera për moshën e tretë.

Po cilat do të jenë shërbimet e shtuara në vitin 2017, të cilësuar si viti i shërbimeve sociale?  “Mendojmë që viti 2017 do të shënojë progres në bërjen e hartave dhe në ofrimin e shërbimeve ku ka nevojë”, thotë Klosi.

Top Channel