Antonio Guterres, shefi i ri i OKB-së

01/01/2017 00:00

1 janari është dita e parë në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të bashkuara për portugezin Antonio Guterres, që zëvendëson në këtë post, koreanojugorin Ban Ki Moon.

E në ditën e parë në detyrën e re, Guterres, pyet?
Si mund t’i ndihmojmë miliona njerëz të zënë në konflikt, që vuajnë në masë pasojat e rënda të luftërave të pafund? Duke apeluar që ta shndërrojmë 2017-ën në një vit kushtuar paqes, shefi i ri i OKB-së, ndalet tek konfliktet, luftërat, dëbimet.
“Askush nuk del i fituar nga këto luftëra. Të gjithë humbasin. Për shkatërrimin e shoqërive dhe ekonomive janë shpenzuar trilionë dollarë, duke nxitur një varg veprimesh të mungesës së besimit dhe frikës, që mund të zgjasë për gjenerata të tëra. Rajone të tëra janë destabilizuar dhe kërcënimi i ri nga terrorizmi global na prek të gjithëve” tha ai duke nënvizuar se paqja duhet të jetë në plan të parë.

Guterres ftoi qytetarët, qeveritë, liderët, që të përpiqen shumë për të kapërcyer dallimet. Paqja- tha ai – duhet të jetë synimi dhe udhërrëfyesja jonë. dhe paqja varet nga ne.

të premten, në zyrat qendrore të kombeve të bashkuara në nju jork, ishte Ban Ki Moon ai që mbajti fjalimin e lamtumirës. “Tani ndihem pak si hirushja. nesër në mesnatë, gjithcka do të ndryshojë”, bëri shaka ai. Si sekretari i tetë i përgjithshëm i kombeve të bashkuara, mandati i ban ki moon nisi më 1 janar 2007 dhe zgjati deri më 31 dhjetor 2016.

Top Channel