Festa e ndërrimit të viteve, spektakël fishekzjarresh dhe koncert në shesh

01/01/2017 00:00

Fishekzjarre, muzikë, një përfaqim dhe urimi I parë për vitin e ri 2017. Me këtë atmosferë festive qindra qytetarë zgjodhën ta presin vitin e ri në qendër të kryeqytetit, duke u bashkuar me festën e organizuar nga Bashkia, për të pritur bashkë 2017-ën.

Minutat e para të këtij fillim janari ishin të ftohta, me temperatura disa gradë nën zero por kjo nuk I ndali qytetarët, mbi të gjitha fëmijët që të shijojnë spektaklin e fishekzjarreve nga sheshi “Shën Tereza”.

Me një gotë verë në dorë, qindra të rinj kanë shijuar tingujt e muzikës në një koncert me këngëtarët më të mirë të muzikës moderne. Kryeqytetasit shfrytëzuan minutat e para të 2017-ës për të uruar të dashurit dhe familjet e tyre për një vit më të begatë dhe më të gëzuar.

Kjo pemë, ngritur në mes të sheshit “Shën Tereza” javë më parë është këndi më i mirë për të ruajtur kujtimin e kësaj feste, përmes fotografive.

Trokitja e gotave dhe urimi për mbarësi dhe një vit të bardhë është mesazhi që ka mbizotëruar në tryezat e çdo qytetari. E ashtu sic tradita tashmë e kërkon, pas mesnate, për mijëra të rinj vendin e tryezës së tejmbushur në shtëpi e zënë lokalet e baret e kryeqytetit, të cilat qëndruan hapur deri në orët e para të mëngjesit.

Top Channel