Fjalimi i fundvitit, Rama: Në 2017, më shumë për të arritur objektivat

31/12/2016 00:00

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur pasditen e kësaj të premteje fjalimin e fundit për vitin 2016. Duke nënvizuar se në këto 3 vjet e pak qeverisje ka patur një seri arritjesh, kreu i ekzekutivit ka premtuar se vitin e ardhshëm do të punojë edhe më shumë për t’u ardhur në ndihmë të gjitha kategorive.

Në fokus të fjalimit të Ramës kanë qenë problematikat në sektorët kyç të vendit, që nga drejtësia e deri tek arsimi, shëndetësia, ndihma për familjet në nevojë, etj. 

“Ndjesë çdo shqiptari që është përballur me padrejtësi shtetërore gjatë këtij viti. Do luftojmë që vitin e ri shteti të jetë më i drejtë për të gjithë. Ndjesë kujt ka rënë viktimë e pushtetit të korruptuar e të babëzitur gjyqësor. Viti i ri do të jetë më i miri për drejtësinë në këta 25 vjet dhe i pari i një zinxhiri vitesh në vazhdim për ndërtimin e një drejtësie që do garantojë barazi para ligjit”, ka thënë Rama. 

Ndjesa e radhës e tij ka qenë për dhunën në familje, që këtë vit, siç ka thënë kryeministri, ka tronditur opinionin publik me shfaqjet e saj ekstreme. “Dhimbja e atyre që e kanë përjetuar mbetet një thirrje për të bërë më shumë gjatë këtij viti të ri, jo vetëm ndaj këtij fenomeni por fenomenit të dhunës në tërësi që prek çdo komunitet”, është shprehur Rama. 

Kreu i qeverisë është shprehur i vetëdijshëm edhe për problemet me të cilat përballen sot pensionistët, pavarësisht shpërblimeve që kanë marrë. “Ndjesë çdo pensionisti që sot s’ka kush i thotë gëzuar dhe viti i ri i ngjan si një përsëritje e mundimshme e të vjetërit. Kemi bërë sa kemi mundur, por jo aq sa do të donim të bënim për të moshuarit. Nuk do ta rresht përpjekjen për të bërë më shumë për ta gjatë vitit të ri”, ka vijuar Rama. 

Në të njëjtën linjë ai është shprehur edhe sa i takon familjeve që jetojnë me ndihmë ekonomike. “Dhimbja e tyre është edhe dhimbja ime. Lufta e tyre do të jetë lufta jonë këtë vit të ri”, ka pohuar Rama. 

Një ndjesë u është rezervuar edhe individëve me aftësi të kufizuara, veteranëve, invalidëve e të përndjekurve, për faktin se nuk është bërë shumë në favor të tyre, “edhe pse nuk është bërë pak”. “Përpjekja për ta do të vazhdojë më shumë gjatë 2017-s”, ka premtuar Rama. 

Fokusi i tij i radhës ka qenë edhe investimi në infrastrukturë, si në atë urbane ashtu dhe në atë arsimore. “Ndjesë familjeve që jetojnë në ato fshatra që era e Rilindjes Urbane nuk i ka prekur. Por i siguroj se viti i ri do ta shtrijë më tej gjurmën e ndryshimit”, ka vijuar Rama. 

Ai u ka kërkuar ndjesë edhe punonjësve të sektorit publik, sidomos atyre të policisë, mjekëve, infermiereve dhe mësuesve për vështirësitë dhe baltën me të cilat përballen përditë në punën e tyre. Ai u ka premtuar këtyre kategorive se viti i ardhshëm do të jetë më i mirë për ta në disa aspekte. 

Sa u takon të rinjve, kreu i qeverisë ka dhënë garancinë e tij se, reforma në arsim e nisur këtë vit do të thellohet dhe do të bëhet më e prekshme për ta. Gjithashtu, ka vijuar ai, për të rinjtë do të vazhdojë ndryshimi i nisur për promovimin e konkurrencës reale.  

Mes të tjerash, Rama ka kërkuar ndjesë edhe çdo qytetari që është ndjerë i prekur nga gjuha e egër i Parlamentit, duke premtuar se vitin e ri do të punojë për ta ndryshuar atë.

Top Channel