Sondazhi i Top Channel, Gianni De Biasi personazhi i vitit

31/12/2016 00:00

Gianni de Biasi është personazhi i vitit nga klikimet në faqen e internetit të Top Channel. Italiani që drejton ekipin kombëtar të futbollit ka marrë më shumë klikime në sondazhin e hapur që Top Channel zhvillon në faqen e internetit, tanimë prej 12 vjetësh, duke u bërë kështu edhe shqiptari më popullor në Shqipëri.

Tekniku i natyralizuar shqiptar vazhdon të ketë një ndikim shumë të madh te shqitarët, e më së shumti duket se ka ndikuar paraqitja që Shqipëia bëi në ndeshjet e Francë 2016, të parat në një event ndërkombëtar në historinë e futbollit shqiptar.

Personazhi i dytë më i klikuar është kryeministri Edi Rama, ndërkohë që me një diferencë të vogël votash është renditur kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Shumë klikime ka marrë në këtë sondazh edhe Arbër Hajdari, personazh i bërë i njohur me fushatën e tij të bamirësisë ‘Fundjavë ndryshe’.

Në vendin e pestë është renditur ambasadori amerikan Donald Lu, ndërsa pas tij këngëtarja Era Istrefi, që gjatë vitit 2016 la gjurmë me hitet e saj muzikore.

Renditja e personazheve më të rëndishme të vitit në faqen e internetit të Top Channel plotësohet nga Ilir Meta, Kombëtarja shqiptare e futbollit, futbollisti Armado Sadiku dhe politikani Ben Blushi.

Top Channel