Chelsea arratiset, Liverpool-City për të përcaktuar rivalin e londinezëve

31/12/2016 00:00

Në pritje të supersfidës së “Premier League” në këtë prag Viti të Ri, Chelsea duket se ka marrë arratinë, duke u shkëputur me plot 9 pikë nga ndjekësit më të afërt: “The Reds”-at e Liverpoolit, të cilët vetëm pak minuta më vonë do të presin në “Anfield Road” ekipin e drejtuar nga Guardiola, Manchester City.

Londinezët e drejtuar nga Antonio Conte, italianit që i ka dhënë një fytyrë krejt tjetër “bluve” nga sezoni i kaluar, kanë mposhtur 4-2 Stoken në shtëpi, me një dygolësh të Willian në pjesën e dytë dhe gola të shënuar nga Cahill e Costa, respektivisht në pjesën e parë dhe të fundit të ndeshjes. Fitorja, gjithsesi, është vënë dy herë në dyshim, pas barazimeve të përkohshme të skuadrës mike.

Por nëse shkëputemi disi nga kreu i renditjes së “Premier League”, ajo që të bie në sy është fitorja e Manchester United me përmbysje, e për më tepër pas një goli të anuluar të Zlatan Ibrahimoviçit në minutën e 39, për shkak të një ndërhyrjeje të gabuar. Ishin pikërisht miqtë e Middlesbrough, ata që gjetën të parët rrugën e rrjetës me anë të Leadbitter, në minutën e 67, por për “djajtë e kuq” kanë mjaftuar vetëm 5 minutat e fundit të lojës së rregullt, për të kthyer rezultatin në favorin e tyre. Autorë të golave të njëpasnjëshëm në harkun e një minute ishin dy francezët Martial dhe Pogba.

Në ndeshjet e tjera, kampionët në fuqi të Leicesterit mposhtën minimalisht West Hamin, një prej rivalëve në zonën e mbijetesës, pas një goli të shënuar nga Slimani që në 20 minutat e para të takimit. Kanë fituar dy ekipe udhëtuese, si West Bromwich dhe Bournemouth, respektivisht 2-1 ndaj Southamptonit dhe 3-0 ndaj Swansea. Me rezultat të thellë ka fituar edhe Burnley në shtëpinë e tij duke mposhtur 4-1 Sunderlandin.

Top Channel