“Kalorësit” e Rios, Mbretëresha Elizabeth vlerëson me tituj 100 sportistë

31/12/2016 00:00

Suksesi i sportistëve olimpikë dhe paralimpikë britanikë në Lojërat e Rios ishte i jashtëzakonshëm dhe më i madhi në historinë sportive të Britanisë.

I tillë ishte edhe nderimi, që Mbretëresha Elizabeth u bëri më shumë se 100 sportistëve, duke i nderuar ata me tituj kalorsiakë dhe perandorakë. Yjet olimpikë si Andy Murray, Mo Farah dhe Jessica Ennis-Hill kanë marr tituj të lartë.

Që nga sot, tentisti Andy Murray do të jetë “Sir”. Ndërsa atletja e pesëgarëshit Jessica Ennis-Hill do të quhet “Dame”. Ndërkohë, kampioni i distancave të mesme Mo Farah, titullin kalorsiak të marrë nga Mbretëresha e quan një “ëndërr të bërë realitet”. Ai erdhi në Angli si refugjat nga Somalia në moshën 8-vjeçare pa ditur asnjë fjalë anglisht.

Me titull kalorsiak është nderuar edhe trajneri i Uellsit, Chris Coleman, për suksesin e ekipit të Uellsit në “Euro 2016”, si dhe trajneri i ekipit të Irlandës së Veriut.

Nga bota e artit bie në sy titulli për Victoria Beckham, për arritjet në industrinë e modës dhe kryeredaktorja e revistës “Vogue”, Anna Wintour, për kontributin në botën e modës dhe gazetarisë. Ndërkohë, një ish-prezantuese e BBC-së e refuzoi titullin duke thënë se sistemi i dhënies së titujve nuk ishte i ndershëm.

Në listën prej rreth 1.200 sportistësh dhe artistesh nga bota e argëtimit, këtë vit kanë marrë medalje më shumë se kurrë në historinë e perandorisë britanike, pjesëtarë të minoriteteve etnike, me ngjyrë e aziatikë, në shifrën 9 për qind të të gjithë sportistëve dhe artistëve të nderuar nga Mbretëresha.

Top Channel