Dhurata dhe ndihmë në Shkodër

31/12/2016 00:00

Fondacioni civil “Alliance Toward Integrity” në bashkëpunim me të rinjtë e “CATI YOUTH”, organizuan festën me fëmijët që trajtohen në shkollën speciale “3 Dhjetori” në Shkodër.

Në këtë shkollë qëndrojnë 93 fëmijë me regjim ditor dhe për ta janë dhënë pajisje mësimore, dhurata, por edhe janë bërë rregullimet e ambienteve mësimore si dhe krijimi i mundësive që fëmijët të mund të shfaqin talentin e tyre.

“Të mos hezitojmë të dhurojmë. Festa fillon kur ne japim. Sesa shumë nevojë ka kjo shoqëri për modele pozitive dhe për solidaritetin”, tha Keti Bazhdari, “CATI YOUTH”.

E njëjta ndërhyrje është bërë edhe në qendrën e zhvillimit që trajton persona me aftësi të kufizuar me qëndrim të përhershëm dhe që është në vartësi të Bashkisë së Shkodrës duke përmirësuar kushtet e jetesës për shumë fëmijë.

Ndërsa në shtëpinë e foshnjës përveç lodrave për të miturit, fondacioni ka ndihmuar me përmirësimin e kuzhinës si dhe u ka siguruar falas dy herë në javë mundësinë për t’i dërguar fëmijët në një ambient për të luajtur, jashtë shtëpisë ku qëndrojnë.

Top Channel