Çerdhe e re në Kombinat, Veliaj: Investim për gjeneratën e ardhshme

31/12/2016 00:00

Zonës së Kombinatit në kryeqytet i është shtuar një çerdhe e re. Bashkia e Tiranës ka rikualifikuar disa ambiente të pashfrytëzuara më parë për të ndërtuar çerdhen. Kreu i bashkisë Erion Veliaj tha se ky vit i ri nis me një çerdhe të re për fëmnijët, një investim për gjeneratën e ardhshme.

“Jam shumë entuziast që në prag të Vitit të Ri fillojmë një çerdhe e re. Dua të falenderoj të gjithë banorët e Kombinatit. Ashtu siç e thotë ajo shprehja, duhet një fshat për të rritur një fëmijë; na duhet një komunitet që të bëjë një çerdhe sepse nuk mjafton vetëm infrastruktura që siguron Bashkia, por gjithë dashuria e prindërve, kontributet e vogla, një krevat, një set enësh dhe kur të gjithë kemi kontribuar sadopak, edhe investimi ruhet. Jam shumë mirënjohës për të gjithë ata që kanë kontribuar”, tha Veliaj.
 
Ai theksoi se ky vit që po mbyllet mund të konsiderohet edhe si viti ku fokusi kryesor i punëve që ka bërë bashkia ka qenë te e ardhmja e qytetit, që janë fëmijët. “Ky ka qenë një vit me shumë punë, por nëse do ketë një punë që do mbahet mend, ka qenë fokusi i jashtëzakonshëm te fëmijët; Tirana nuk është perfekte, ka ende shumë probleme, kemi ende shumë punë për të bërë, por di të them që ndihem shumë mirë me ç’kemi bërë për çerdhet e kopshtet sepse besoj se kemi filluar mbarë, jo duke bërë llogaritë për zgjedhjet e ardhshme, por për gjeneratën e ardhshme. Vetëm kështu mund të ecë përpara Tirana, me fokus te puna, tek e ardhmja, duke shpresuar gjithmonë me optimizëm se ditët më të mira i kemi përpara”, shtoi kryebashkiaku Veliaj, ndërsa tha se puna e bërë me çerdhet dhe kopshtet do jetë etaloni dhe standardi mbi të cilin do të bëhen gjithë punët në vitet e tjera.

Top Channel