Ahmetaj reagon ndaj Blushit: Ekonominë e mat me barometrin e mllefit ndaj Ramës

30/12/2016 00:00

Pas reagimit të kreut të LIBRA, Ben Blushi mbi programin 1 Miliardë euro për Rindërtim (P1MR), që u publikua nga Kryeministri, ku tha se 1 miliard euro në 4 vjet janë shumë pak, ka reaguar edhe Ministri i Financave.

Arben Ahmetaj thotë se Blushi ekonominë e mat me barometrin e mllefit të tij ndaj Edi Ramës, që ditën që ky i fundit u bë Kryeministër.

“Të jesh fillestar në ekonomi kur hyn në politikë nga një rrugë tjetër e jetës, s’është aspak për t’u kritikuar. Por të mbetesh i tillë kur qëndron gjatë në politikë dhe pretendon të drejtosh sektorë të jetës si ministër, apo edhe më keq “të shpëtosh Shqipërinë” si lider, nuk mund të trajtohesh më si i pafajshëm kur flet budallallëqe për ekonominë. Kjo është arsyeja pse nuk e kam trajtuar dot si të pafajshëm mikun tim Ben Blushi, i cili ekonominë e mat me barometrin e mllefit të tij ndaj Edi Ramës, që ditën që ky i fundit u bë Kryeministër. Por, qëkur ai filloi që barometrin e tij ta bënte manual ekonomik të përpjekjes personale për rrëzimin e qeverisë, fajësinë e tij për padijen në ekonomi, ia kam vënë në dukje edhe publikisht”, shkruan Ahmetaj.

Ai thotë se duke e sharë programin, Blushi e ka miratuar atë.  “Po sot unë po ia shkruaj atij dhe atyre që mund t’i lexojnë faqet e manualit ekonomik të tij se duke e sharë programin, Blushi e ka miratuar atë pikërisht sepse me këtë program shkohet mbi atë që kërkon ai! Pra më shumë se 1 miliardë euro për Rindërtim në vit”.

Ky program, sqaron Ahmetaj, do të shtrihet fillimisht në tre e jo në katër vjet, është plus programit buxhetor të investimeve që në vetvete është 750 milionë dollarë.

Më tej, Ahmetaj thotë se Blushi i mban ison Lulzim Bashës dhe Sali Berishës. “Pjesa më e dhimbshme është ajo ku Blushi i mban ison Lulzim Bashës dhe Sali Berishës për shpenzimet e luksit të kryeministrisë. Në garën me ta se kush e shan më shumë Edi Ramën dhe qeverinë e tij, e fryn edhe më keq shifrën e sajuar nga Saliu, të recituar nga Luli e të amplifikuar më tej nga Blushi vetë. E gjitha një propagande gënjeshtrash për të ardhur keq. Sepse Saliu e di të vërtetën, por gënjen si zakonisht për të galvanizuar trupat e tij. Luli bën sikur s’e di të vërtetën se ia do puna që të përsërisë si robot ato që thotë Saliu. Ndërsa më keq nga të dy këta është Blushi, që jo vetëm nuk e di si është e vërteta, sepse nuk kupton (dhe as pyet ngaqë kujton se kupton) dhe sepse mllefi e shtyn më tutje se sa vetë Saliu e Luli në rrugën e gënjeshtrave”.

Top Channel