Kavajë, arrestohet gruaja që dhunoi bashkëshortin

30/12/2016 00:00

Një 33-vjeçare nga një fshat i Kavajës u arrestua nga policia për keqtrajtim fizik të bashkjetuesit të saj, për të cilin u lëshua urdhëri i mbrojtjes.

Sipas policisë, në 3 vjet bashkjetesë, si dhunuesja ashtu dhe i dhunuari kanë qenë të dënuar për veprën penale “dhunë në familje”.

Por nëna e Zamira Këlliçit tregon një tjetër histori, një histori dhune dhe abuzimi të vazhdueshëm të ushtruar nga Xhevahir Kaloti, nga Peqini, ndaj saj dhe së bijës, e cila ka një djalë nga një martesë e mëparshme.

Leme Këlliçi tregon se mbrëmjen e kaluar Xhevahiri e kish kërcënuar vajzën se do ta fuste në burg dhe se djalin do ta trafikonte, ndërsa përplaste kokën pas sobës për të siguruar provat kundër të bijës.

Vetëm 3 javë më parë, 34 vjeçari Kaloti mbaroi dënimin për dhunë të ushtruar ndaj Zamirës. E ndonëse e ëma i kish kërkuar ta mbyllte lidhjen me të, Zamira ia kishte hapur sërish derën pasi besonte se ai kishte ndryshuar.

Ndërsa Sebastiani i vogël nuk flet. Ai është dëshmitari i heshtur i dhunës që ushtrohet në shtëpinë e tij. Gjykata e Kavajës e ka lënë të lirë Zamirën me masën detyrim paraqitje.

E ndërsa procedimi penal ndaj saj do të vazhdojë, policia e Kavajës, e kontaktuar nga TCH mbi rastin dhe shenjat e dhunës në trupin e Leme Këlliçit, deklaron se do ta ndjekë më tej çështjen.

Top Channel