NATO, Stoltenberg: Duhet të bisedojmë me Rusinë

30/12/2016 00:00

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një intervistë për agjencinë gjermane të lajmeve “DPA” ka folur për marrëdhëniet mes Aleancës dhe Rusisë.

“Sa i përket Rusisë mendoj se është e rëndësishme të flasim me rusët. Këtë e thonë edhe gjermanët. Nuk ka asnjë kontradiktë mes intimidimit, mbrojtjes dhe dialogut”, ka thënë Stoltenberg.

I pyetur se cila është sfida e NATO-s për vitin 2017 mes Rusisë dhe terrorizmit ndërkombëtar, Stoltenberg është përgjigjur:

“Janë dy gjëra shumë të ndryshme. Nga Rusia nuk vjen një rrezik konkret për një vend të NATO-s. Rusia është fqinji ynë dhe e tillë do të mbetet”.

“Ndërsa me terrorizmin do të na duhet të bashkjetojmë edhe në 2017-n, por qëllimi ynë është të shkatërrojmë ISIS”, ka shtuar Stoltenberg.

Shefi i Aleancës është pyetur edhe për pasojat e mundshme të presidentit pro-rus amerikan ndaj politikës së riarmatimit të NATO-s në Europën lindore.

“Pak javë më parë kam folur në telefon me Donald Trump. Më tha se e njeh detyrimin e tij ndaj NATO-s, ndaj kam besim se Shtetet e Bashkuara do t’i qëndrojnë besnike detyrimeve të tyre”, ka thënë Stoltenberg.

Top Channel