Bilanci i 2016-s, Basha: Rama varfëroi shqiptarët, aleancë me krimin

30/12/2016 00:00

Në një reagim të publikuar në rrjetin social “Facebook”, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka bërë bilancin e tij për vitin 2016, duke e cilësuar atë si “fundviti i fundit i një kryeministri të korruptuar e të lidhur me krimin”.

Sipas asaj që shkruan Basha, kryeministri Rama ka hequr 40 mijë familje nga ndihma ekonomike dhe e ka bërë më të vështirë pagesën e papunësisë. Ai ka lënë mijëra persona me aftësi të kufizuara pa pagesë, ndërkohë që rriti çmimin e energjisë.

Basha thekson ndër të tjera se, nafta në Shqipëri është më e shtrenjta në rajon, ndërsa janë ulur edhe treguesit e konsumit, kreditimit, eksport-importeve, si dhe nuk ka kryer asnjë investim të ri publik. Veç këtyre janë rritur me 5 për qind kreditë e këqija dhe janë dhënë 140 milionë dollarë më pak kredi për biznesin, krahasuar me një vit më parë, ndërsa për fermerët ka pasur zero mbështetje.

Përveçse uli pagat dhe nuk rriti pensionet, Rama, sipas Bashës, është shkaktar i rritjes me 2 për qind të papunësisë. Ndërkohë që, në kohën kur mijëra familje u përmbytën nga uji dhe balta, Basha risjell në vëmendje se Rama iku në SHBA për një ekspozitë pikture.

Në bilancin e këtij viti, Basha përfshin edhe shkatërrimin e zgjedhjeve në Dibër, sikurse edhe rrënimin e shëndetësisë, ndërsa ka ndarë 100 milionë dollarë për koncesionin e radhës. Edhe arsimi është sulmuar nga kryeopozitari, sipas të cilit është shkaktuar kaos, ankth dhe padrejtësi për mijëra maturantë dhe familjet e tyre.

Por, më e rëndësishmja sipas tij, Rama është ai që mbuloi Shqipërinë me drogë, nuk u nda asnjë ditë nga krimi, mbrojti deri në fund Rroshin, thelloi aleancën me trafikantët dhe i dha garanci dhe liri Lul Berishës. Shkaqe këto që çuan edhe në bllokimin e integrimit europian të Shqipërisë, duke vrarë shpresën e 80 mijë shqiptarëve, që braktisën edhe këtë vit vendin.

Top Channel