Ibra bën diferencimin: Messi, më mirë se Ronaldo

30/12/2016 00:00

Ashtu si dhe në fushë, edhe jashtë saj Zlatan Ibrahimoviç është i njëjti, nuk di të bëjë aspak kompromis. Edhe pse Cristiano Ronaldo ka koleksionuar të katërtin “Top të Artë”, suedezi duket se vlerësimet maksimale i ka për dikë tjetër.

“Nuk kemi luajtur asnjëherë bashkë. Mendoj se forca e tij është frut i një stërvitjeje shumë të madhe dhe jo i një talenti natyral. Mua më pëlqente më shumë Ronaldo da Lima, braziliani: ai ishte unik, më linte me gojën hapur. Driblonte e vraponte në një mënyrë të pabesueshme”, u shpreh Ibrahimoviç në një intervistë për “ESPN”.

Një vlerësim jashtëzakonisht të mirë, Ibra e ka për argjentinasin Messi: “Është si në ‘playstation’, mjafton t’i japësh topin dhe ai i driblon të gjithë. Nuk e di nëse në të ardhmen do të dalë ndonjë tjetër, por ai ka një stil të papërsëritshëm. Unë me të jemi të ndryshëm, pasi ai nuk ka ndërruar kurrë skuadër, ndërsa unë kam pasur dëshirën që të provoj eksperienca të reja. Por, besoj se loja e tij mund të jetë shumë efikase edhe në Angli”, deklaroi Ibra, që nuk e përjashton edhe një eksperiencë në Brazil.

Top Channel