Filmat e festave të fundvitit në kinematë e kryeqytetit

30/12/2016 00:00

Festat e fundvitit janë gjithnjë një arsye e mirë për të pushuar, e një alternativë argëtimi mund të jetë një film i mirë e plot humor, për të kaluar këndshëm disa orë ndryshe. Kinematë në kryeqytet sjellin që prej datës 2 janar një sërë premierash për të apasionuarit e ekranit të madh.

Atmosfera e festave me drita dhe zbukurime shumëngjyrëshe zbret në premierën e parë të rrjetit “Imperial”.

“Collateral Beauty” është historia e Howard Inlet, i cili në film interpretohet nga Will Smith, një prodhues reklamash dikur nga më të mirët në New York. Pas vdekjes tragjike të vajzës së tij, ai largohet nga njerëzit që e rrethojnë, duke gjetur forcën në një grup njerëzish të pikëlluar, që ashtu si ai kanë humbur diçka nga jeta. Dalëngadalë mëson se, edhe dhimbjet më të mëdha mund të kalojnë dhe se jeta mund të fillojë sërish, edhe më e bukur se më parë.

Premiera e Krishtlindjes vijon ende të shfaqet në kinematë e kryeqytetit. “Office Christmas Party” sjell festën tipike të Krishtlindjes, të zhvendosur në zyrë. Kur motra e një menaxheri banke, tejet e dhënë pas festave, kërcënon se do t’i mbyllë degën e tij të punës, Clay vendos të organizojë një festë Krishtlindjeje kundër vullnetit të saj për të tërhequr një klient. Festa merr tjetër rrjedhë nga sa ishte menduar, duke sjellë një Krishtlindje të çmendur e të paparashikuar.

Edhe për publikun e vogël, “Imperial” rezervon një premierë. Felicie është një vajzë 11-vjeçare jetime, e cila ka pasion kërcimin. Dëshira e saj më e madhe është të bëhet një balerinë e të studiojë në shkollën më të mirë të baletit në botë. Pasi arratiset me Viktorin, mikun e saj më të mirë, ata ndjekin ëndrrën e tyre, duke sjellë te vogëlushet mesazhin e shpresës se ëndrrat e shprehura gjatë festave mund të bëhen realitet.

Top Channel