Rama: Presidentin e zgjedhim ne. Aleanca me LSI, strategjike

30/12/2016 00:00

Bujar Nishani nuk ka asnjë shans për t’u rizgjedhur president i Republikës. Të paktën jo sipas kryeministrit Edi Rama, i cili i mbylli derën ambicjes së kreut të shtetit, të shprehur një muaj më parë në “Top Story”.

“Nëse do ketë një garë dinjitoze dhe nëse do të mbështetem nga grupi i caktuar i deputetëve, patjetër që unë do të garoj për një mandat të dytë”, tha Nishani një muaj më parë.

“Zgjedhja e presidentit në Shqipëri nuk është si në Amerikë. Shprehja e ambicjeve më duket kohë e humbur sepse nuk e vendos individualisht askush se kush do të bëhet president”, u përgjigj Rama këtë të premte.

Për të dhënë një përgjigje se kush do të kandidojë, kryeministri Rama kërkoi më shumë kohë, por ai e bëri të qartë se do të jetë një propozim i koalicionit qeverisës.

“Presidentin e ri do ta vendosë Aleanca për Shqipërinë Europiane. Ju siguroj se do të kemi atë që quhet vështirësia për të zgjedhur”, theksoi Rama.

Por cila do të jetë e ardhmja e koalicionit? Edi Rama e quan atë një partneritet strategjik, pavarësisht asaj që e cilëson si sjellje taktike të LSI-së.

“Aspektet taktike janë të mirëkuptueshme. Për ne nuk ka një nevojë taktike që të bëjmë sikur nuk duam, sikur ta shikojmë, sikur të presim, etj. Për LSI është kjo nevojë taktike, e respektueshme. Por partneriteti strategjik është afatgjatë dhe shkon përtej mandatit tim dhe atij të Ilir Metës, në këndvështrimin tim”, tha Rama.

Megjithatë, përgjigjia e Lëvizjes Socialiste për Integrim ishte e menjëhershme, duke i kujtuar kryeministrit se strategjike në marrëveshjen e koalicionit ishte integrimi europian.

“Ne jemi një forcë politike serioze që u qëndron marrëveshjeve. Nuk kemi asnjë arsye taktike, por vetëm prioritete strategjike dhe prioriteti ynë është integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian”, tha nënkryetari i LSI, Luan Rama.

Por, sido që të zhvillohen ngjarjet politike, kryeministri Rama ishte shumë i sigurt për një gjë: se çfarë pune do të bëjë pas zgjedhjeve të 18 qershorit.

“Patjetër kam thënë që do ta mbaroj unë si kryeministër, por unë si kryeministër do ta vazhdoj punën pas 18 qershorit”, tha Rama.

Top Channel