Sanksionet ndaj Rusisë, Trump fajëson kompjuterët

30/12/2016 00:00

Furtunës që shkaktoi administrata Obama me vendosjen e një serie sanksionesh ndaj Rusisë për ndërhyrjen në zgjedhjet amerikane, Donald Trump iu përgjigj me një koment të shkurtër.

“Mendoj se të gjithë duhet të vazhdojmë përpara me jetët tona në vend që të kërkojmë hakmarrje ndaj Rusisë. Them se kompjuterët janë ata që na e kanë vështirësuar jetën së tepërmi. E gjithë kjo era e kompjuterëve ka krijuar një situatë ku askush nuk e di më me saktësi se çfarë po ndodhë”, deklaroi Trump.
 
35 diplomatë rusë u shpallën persona non grata e iu dhanë 72 orë afat për t’u larguar nga Shtetet e Bashkuara te Amerikës. Dy komplekse ndërtesash në Maryland dhe në New York, të përdorura nga personeli rus për aktivitete të shërbimeve të fshehta, do të mbyllen.

Hyrja në kompleksin e ndërtesave do t’iu ndalohet të gjithë diplomatëve rusë duke nisur nga pasditja e së premtes. Sanksionet e Washingtonit drejtohen Shërbimit Ushtarak Rus (GRU) dhe atij të Fshehtë të Brendshëm (FSB), të cilat SHBA i akuzon si përgjegjëse për sulmet ndaj kompjuterëve të organizatave politike.

Agjencitë amerikane të inteligjencës mendojnë se piratët rusë të internetit kanë arritur të depërtojnë, me aprovimin e Kremlinit, në sistemin e kompjuterëve të Partisë Demokratike të kandidates për presidente, Hillary Clinton.

Një sërë e-mailesh të partisë u publikuan edhe përmes platformës Wikileaks. Të gjitha këto veprime e vunë Clintonin në vështirësi. Rusia bëri të ditur se do të reagojë “në një mënyrë të tillë që do t’i shkaktojë Amerikës parehati të madhe”.

Masat e marra prej Obamës janë një dekret presidencial të cilin Trumpi mund ta anulojë pas ardhjes në pushtet në 20 janar.

Top Channel