Australi, arrestohet kërcënuesi, do sulmonte gjatë festimeve të Vitit të Ri

30/12/2016 00:00

Kërcënimet e bëra në mediat sociale për të shënjestruar festimet e Vitit të Ri në Sidnei i kanë kushtuar lirinë një 40-vjeçari. Damien O’Neil u prangos nga forcat australiane të anti-terrorit me të zbritur nga avioni i tij, i cili ishte nisur nga Londra.

Akuzat e ngritura mbi të mbështeten në legjislacionin penal të lidhur me vetëvrasjet apo inkurajimin e tyre. Policia nuk e bëri publike kombësinë e tij, por sqaroi se 40-vjeçarit i është mohuar lirimi me kusht.

O’Neil ka vepruar i vetëm dhe nuk duket të ketë lidhje me ndonjë grup tjetër. Ai ka postuar në mediat sociale një seri kërcënimesh mbi veprime të mundshme që ka ndërmend të ndërmarrë sqaruan zyrtarët australianë, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi rastin.

Krerë të policisë vendase sqaruan se efektivët australianë janë të përgatitur për çdo incident të ngjashëm me atë të Gjermanisë apo Francës këtë vit kur persona të dyshuar si militantë islamikë janë lëshuar me kamionë mbi turma njerëzish që festonin, duke vrarë me dhjetëra prej tyre.

Arrestimi vjen një javë pasi forcat e sigurisë arritën të shmangin një sulm madhor terrorist të planifikuar të trondiste Melburnin në Ditën e Krishtlindjeve.

Top Channel