Vritet ambasadori grek, policia braziliane e gjen të djegur në një mjet të marrë me qira

30/12/2016 00:00

Policia e Rio de Zhaneiros ka gjetur një trup të pajetë brenda një makine të djegur, e cila ishte marrë me qira nga ambasadori grek në Brazil, Qiriakos Amiridhis.

Ministria e Jashtme greke konfirmon se trupi është i përfaqësuesit diplomatik i cili rezultonte i zhdukur prej disa ditësh. Dyshohet se ai është marrë peng dhe është ekzekutuar prej pengmarrësve, të cilët mund t’i kenë vënë flakën makinës.

Hetimet vazhdojnë dhe po punohet për zbardhjen e motiveve të pengmarrjes së mundshme.
 
59-vjeçari ishte zhdukur prej tre ditësh pasi udhëtoi drejt Rios nga Brasilia për festimet tradicionale të Vitit të Ri në plazhin e Kopakabanas. Një pjesëtar i stafit të Ambasadës ka vazhduar të shkëmbejë mesazhe me numrin e ambasadorit edhe pas zhdukjes, pa qenë i sigurt nëse ishte duke folur me shefin e tij.
 
Për herë të fundit ai është parë në periferinë e Rios, Nova Iguasu ku u gjet dhe makina. Kjo zonë famëkeqe për shkak të numrit të lartë të vrasjeve nga bandat e armatosura që e kontrollojnë terrenin është bërë shpesh arenë pengmarrjesh të ngjashme.

Ambasadori e kishte marrë detyrën në fillim të vitit pasi kishte shërbyer në Libi.

Top Channel