Tre emigrantë afganë humbën jetën dhe 11 të tjerë, mes të cilëve gjashtë fëmijë u lënduan në një aksident trafiku në Serbinë e jugut, të enjten, kur një makinë e mbushur me njerëz doli nga rruga dhe goditi një barrierë sigurie.

Shoferi, që mendohet se është edhe trafikanti i klandestinëve, u largua nga vendngjarja, ndërsa të gjithë të plagosurit u dërguan në spital në qytetin e Nishit, 200 km në jug të Beogradit.

Dy emigrantë humbën jetën në vendngjarje dhe një fëmijë vdiq më pas në spital, tha Zoran Radovanoviv, drejtori i spitalit lokal të Nishit.

Një gruaje ndërkohë, sipas tij, i janë prerë të dyja këmbët. Serbia ka qenë një vendkalim kyç i emigrantëve vitin e shkuar, kur qindra e mijëra vetë largoheshin nga luftërat dhe varfëria në Lindjen e Mesme dhe Azinë me shpresën që përmes Ballkanit të mbërrinin në Europën e pasur perëndimore.

Edhe pse trajektorja u ndërpre në mars, autoritetet serbe vlerësojnë se rreth 110 mijë emigrantë të tjerë kanë vazhduar të kalojnë nëpër vend, pjesa më e madhe e tyre viktima të trafikantëve që marrin përsipër ti kalojnë nëpërmjet Serbisë, në Hungari.

Të hënën, autoritetet serbe arrestuan tre persona të dyshuar si trafikantë njerëzish, pasi 77 emigrantë u gjetën të fshehur në një makinë mallrash. Sipas agjencisë së kombeve të bashkuara për refugjatët, rreth 7 mijë emigrantë janë të bllokuar në kampet në serbi.

Top Channel