Këshilli Bashkiak i Tiranës miraton buxhetin e vitit 2017

29/12/2016 00:00

U miratua me votat e mazhorancës buxheti i Bashkisë së Tiranës që për vitin 2017 është parashikuat të jetë rreth 15.3 miliardë lekë. Por sërish këshilltarët e djathtë kanë qenë kundër dhe kanë kërkuar ulje të taksave me 30%.

“Është buxhet elektoral. Ne nuk do ta votojmë”, tha Mateo Spaho.

LSI propozoi disa investime që duhen parashikuar në buxhet.

“Ngritja e një thertoreje publike në qytetin e Tiranës, ngritja e tregut të gjësë së gjallë, ky është një treg i domosdoshëm”, tha Shezai Rrokaj.

Propozimet e LSI u pranuan dhe më pas buxheti i 2017 u miratua së bashku me votat e PDIU-së.

Më herët në Këshillin Bashkiak të Tiranës u miratua edhe plani i përgjithshëm vendor, i cili pati kundërshtimet e opozitës që pretendoi se ka patur mungesë transparence gjatë hartimit.

“Janë shkelur dispozitat ligjore që kërkojnë sa i takon konsultave publike bërjen të njohur të këtij plani”, tha Leonard Olli.

“Ky është plani i betonit dhe jo i hapësirave publike. Ky është plani që do të sigurojë karrierën e Erion Veliajt”, tha këshilltari tjetër i djathtë, Fabian Topollaj.

Top Channel