Panda gjigand mashkull më i vjetër i botës ngordhi në Kinë në moshën 31 vjeçare, që nëse përkthehet në moshë njerëzore, do të ishte 100 vjeç.

Edhe pse rrethanat e kësaj ngjarjeje nuk konsiderohen aspak të dyshimta, zyrtarët kinezë sërish zgjodhën t’i bënin një autopsi pandës së njohur si Pan Pan.

“Pan Pan ishte 100 vjeç me tonat, por ishte prekur nga kanceri dhe gjatë tre ditëve të fundit, shëndeti i tij u përkeqësua ndjeshëm. E humbi vetëdijen krejtësisht”, tha Tan Chengbin, punonjës i qendrës për mbrojtjen e pandave gjigande.  

Ky panda lindi në natyrë në 1985-n, por vetëm pak muaj më pas u kap dhe të gjithë pjesën tjetër të jetës e kaloi nën kontrollin e njeriut.

Në Kinë atë e njohin më shumë si “gjyshi panda”. Pan Pan-i pati mbi 130 pasardhës e nga fundi i jetës, kishte nisur të vuante prej kataraktes në sy dhe dëmtimit të dhëmbëve.

Pandat gjigande, për vite të tëra një simbol i lëvizjes për mbrojtjen e jetës së egër, së fundi janë hequr nga lista e specieve në rrezik, pasi fatmirësisht, nuk konsiderohen më të tilla duke qenë popullata e tyre llogaritet të jetë shtuar me më shumë se 16% përgjatë dekadës së fundit.

Panda më e vjetër femër e globit, Jia Jia, ngordhi në Hong Kong në muajin tetor. Ajo ishte 38 vjeç.

Top Channel