Miratohet plani urbanistik për Tiranën, debate në Këshillin Bashkiak

29/12/2016 00:00

Është miratuar vetëm me votat e mazhorancës, PS dhe LSI, pas 8 orë diskutimesh plani i përgjithshëm vendor Tirana 2030.

Këshilltarët e djathtë kundërshtuan miratimin e tij, çka bëri që mbledhja e fundit e Këshillit Bashkiak për këtë vit të niste me debate, pasi sipas tyre, hartimi i këtij plani  nuk ka pasur transparencën e duhur.

“Janë shkelur dispozitat ligjore që kërkojnë sa i takon konsultave publike bërjen të njohur të këtij plani”, tha Leonard Olli.

“Ky është plani i betonit dhe jo i hapësirave publike. Ky është plani që do të sigurojë karrierën e Erion Veliajt”, tha këshilltari tjetër i djathtë, Fabian Topollaj.

Ndërsa këshilltarët e LSI-së kërkuan që teksa zhvillohej mbledhja të priteshin pyetje të qyetarëve rreth planit. “Në radhë të parë përgjegjësia jonë është me qytetarët e Tiranës që na dhanë votën dhe kemi detyrën morale të jemi të qartë me ta”, tha një prej tyre.

Kjo kërkesë e këshilltarëve të LSI u mirëprit nga kryetari i bashkisë Erion Veliaj, i cili shpjegoi pikat kyçe të planit urbanistik për një Tiranë që parashikohet që deri në vtin 2030 të ketë rreth 1.6 milionë banorë.

Ky plan “e trajton densitetin në funksion të rritjes së efikasitetit të infrastrukturës. Parashikon ndryshim total ndaj lëvizjes në qytet të njerëzve dhe mallërave. Ne duam të inkurajojmë rindërtimin e shtëpive dhe banesave që janë sot për shumë kurora brenda një çatie. Maksimumi i njollës së ndërtimit do të jetë 45 për qind, ndërsa do ndalohet zhvillimi në zona të reja të pandërtuara, që nuk kanë infrastrukturën e nevojshme. Sot, iu rroftë atyre që jetojnë në vila luksoze në Mullet, Lundër e Petrelë dhe pastaj të gjitha i çojnë në një gropë. Plani parashikon gjithashtu që në 15 vitet e ardhshme ne të mbjellim 2 milionë pemë”, sqaroi Veliaj.

Top Channel